Elvis Hoxha

Për ata që u prekën prej fjalëve të Çitakut

Dialogu mes Vlora Çitakut dhe Daçiçit është dyfish interesant. Dialogu dëshmon për paaftësinë e të dyve:

Vlora Çitakut i erdhi rasti të krenohet me figurën e Albinit. Deri tani ajo nuk e kishte një mundësi të tillë meqë ishte pjesë e lojërave të Thaçit me Beogradin, me pllakatet në nder të paramilitarëve serbë, me marrëveshjet e nxituara me Mogherinin, me dhurimin e tokave shqiptare për liberalizimin e vizave që nuk ndodhi, me korrupsionin dhe nepotizmin e pushtetit, me shkatërrimin e pasurive të Kosovës. Ajo ishte pjesë e një regjimi të dhunshëm ndaj sovranitetit politik, ushtarak, diplomatik dhe ekonomik të Kosovës. Por ja që nga autoriteti moral dhe intelektual i Albin Kurtit mund të përfitojë edhe Vlora Çitaku.

Edhe Çitaku që është kokë e këmbë e zhytur në pushtetin më korruptues të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës, edhe ajo mund të përfitoj diçka nga pastrimi moral që mund të sjellë fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje!. Aq të lartë e ka horizontin moral Albin Kurti dhe Lëvizja, sa ndriçimi do të rrezatojë edhe figurat më të palara të regjimit.

Daçiçi është hedhur në sulm të hapur kundër pavarësisë së Kosovës, sepse tani nuk ka të bëjë më me kundërshtarë të përdorshëm, të shantazhueshëm dhe të dobët në diplomacinë ndërkombëtare. Ai e di mirë se Albin Kurti do ta rimëkëmbë dhe rehabilitojë figurën e Kosovës në tryezat e dialogjeve. Më parë serbët fitonin tërë ndeshjet ku përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës mungonin. Këtej e tutje serbët do ta kenë shumë të vështirë të dëshmojnë se janë të moderuar, se nuk janë ish stafi i Milosheviçit. Të moderuar i bënte frika dhe injoranca e përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Por aty ku Daçiçi tregoi se është me po aq pak aftësi sa dhe Çitaku, është se nuk përfitoi t’i thoshte se, për sa i takon autoritetit të lartë moral, politik dhe intelektual të Albin Kurtit, Daçiçi dhe Çitaku përputhen. Të dy palët kanë përdorur kundër tij policinë, burgun dhe gjyqin kundër këtij personaliteti.

Nëse ekzaltimi i krenarisë e heq nga koka e disa njerëzve numrin e arrestimeve dhe gjykimeve të Albin Kurtit, unë nuk jam aq i mahnitur sa me fshi prej mendjes dhe kujtesës naj 9 arrestime të Albinit. Si shumë të tjerë unë e kam parë se si forcat speciale të Kosovës e kanë tërhequr zvarrë me dhunë të pashoqe Albini Kurtin. Dhe ky njeri shumë shpejt do të jetë kryeministri i Kosovës. Këtë liderat e regjimit që sapo u shkatërua duhet ta mendonin mirë një herë e një kohë. Por injoranca nuk u lejoi të mendonin se nuk ka dhunë e regjim që të jetë i përjetshëm dhe absolut. Sepse nuk ka skllavërim të përjetshëm dhe absolut, sepse nuk ka njerëzim të skllavërueshëm absolutisht e përjetësisht. Dialogu mes dy folësve të cituar më sipër tregon se sa e superiore bëhet politika ndaj ligësisë e injorancës kur hyn në marrëdhënie me drejtësinë.

loading…