Për 8 mars, dy gra sulmohen nga burrat e tyre në Kosovë

Dy gra janë sulmuar nga bashkëshortët e tyre në ditën e 8 marsit në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

Rastet e sulmeve fizike ndaj dy grave janë shënuar në Dragash dhe në Gjakovë. Të dy burrat janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në Dragash, bashkëshorti sulmoi dhe e rrahu gruan e tij, e cila mori trajtim mjekësor në spitalin e komunës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, i cili kishte sulmuar dhe rrahur bashkëshorten e tij, viktimën femër K/Shqiptare. Viktima ka marrë tretman mjekësor në qendrën mjekësore të Dragashit”, njoftoi Policia.

Ndërkaq, në Gjakovë, një i dyshuar sulmoi fizikisht dhe e kanosi gruan e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht dhe kanosur gruan e tij viktimën femër K/Shqiptare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./Ballkani.info