Pensionohet Bastian Schweinsteiger

Bastian Schweinsteiger ka njoftuar pensionimin nga futbolli profesionit, duke i dhënë fund një karriere të bujshme me Gjermaninë, Bayern Munich, Manchester United dhe Chicago Fire.

Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë, do t’i varë këpucët në gozhdë në moshën 35-vjeçare në fund të sezonit aktual në MLS.

Tri vjetët e fundit të karrierës së tij, mesfushori i kaloi në MLS me Chicago Fire, pas një periudhe të shkurtër në Manchester United.

Schweinsteiger e ka, megjithatë, të garantuar statusin e legjendës në Bayern Munich.

Ai i regjistroi 500 paraqitje garuese për Bayern Munich, duke e fituar tetë herë titullin në Bundesligë dhe një herë Ligën e Kampionëve.

35-vjeçari e fitoi Kupën e Botës më 2014 si lider i Gjermanisë, për të cilën i ka bërë 121 paraqitje gjatë karrierës.

Në një postim në rrjetet sociale, Schweinsteiger tha: “Të dashur tifozë, ka ardhur koha që unë t’i jap fund karrierës sime aktive në fund të këtij sezoni. Dua t’ju falënderoj juve dhe ekipet e mia, Bayern Munich, Manchester United, Chicago Fire dhe ekipin kombëtar gjerman. Ju e bëtë të mundur këtë kohë të jashtëzakonshme për mua”.