Peci: Thjeshtëzimi i procedurës së aplikimit për subvencione ka sjellë rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë

Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës së diele ka vizituar bujqit në kohën e korrje-shirjeve në komunën e Therandës.

Në rrjetin social Facebook, ministri Peci shkroi se falë ndihmës nga Qeveria Kurti bujqit kosovarë janë bujqit më të përkrahur në rajon.

“Sot së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës, vizituam fermerin Fazli Beqiraj i cili posedon rreth 60 hektarë grurë, ku edhe filluam korrje-shirjen e grurit.  Bujku kosovar, falë mbështetjes së Qeverisë Kurti 2, për vetëm një vit udhëheqje është bujku më i përkrahur krahasuar me vendet e rajonit”.

Kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me Ministrin e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në vizitë tek bujqit e Therandës

Peci nuk la pa përmendur edhe subvencionimin që Qeveria ua ka bërë këtë vit bujqve që kultivojnë grurin.

“Qeveria ka prioritizuar bujqësinë duke rritur përkrahjen deri në 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022, ku teksa flasim, procesi i kontrollës administrative dhe asaj në teren po vazhdon. 1 ha me grurë këtë vit do të subvencionohet me rreth 474€, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150€ për hektarë”.

Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në kombajë duke kryer proceduren e korrjes së grurit së bashku me bujqit në Therandë

Sipas tij thjeshtëzimi i procedurës së aplikimit për subvencione ka sjellë rritje të sipërfaqeve të mbjellura me grurë.

“Thjeshtëzimi i procedurës së aplikimit ka sjellë rritje të sipërfaqeve të mbjellura, e për fat, këtë vit presim dhe rendiment më të lartë falë kushteve të volitshme klimatike që kanë mbizotëruar në vendin tonë”, ka shkurar Peci në Facebook.