Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë Hoti për mospëkrahjen e ekonomisë në kohë pandemie.
Deputeti i kësaj partie Kujtim Gashi, ka thënë se Qeveria nuk asnjë plan sa i përket përkrahjes së sektorit të ekonomisë dhe se vendimet e marra për mbyllje, sipas tij, janë pa ndonjë vizion e plan të mirëmenduar.
“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet e mbështetet, dhe qeveria vendos ta mbyll edhe më shumë atë, e veçmas gastronominë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar. Jemi dëshmitarë që qeveria, së fundmi merr vendime të çuditshme sa i përket masave kufizuese, siç ishte edhe vendimi i fundit ku në fundjavë pati mbyllje të përgjithshme, kurse kufijtë ishin të hapura me çka shumë qytetarë kaluan fundjavën në vendet përreth. Shtrohet pyetja, cilat kanë qenë efektet e kësaj mbyllje?. PDK-ja nuk është kundër masave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, dhe bëhen me propozime të profesionistëve, por paraprakisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që sektorin privat në Republikën e Kosovës ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e sektorit privat. Në të kundërtën, qeveria me vendimet e pa-analizuara mire veçsa do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike duke mbyllur shumë biznese dhe duke lënë pa punë mijëra punëtorë të sektorit privat, duke prodhuar kështu një krizë të re sociale”, ka thënë Gashi.







