Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka folur për rastin e fajdeve që u publikua ditë më parë, në të cilin përmendet edhe emri i kryetarit Kadri Veselit.
Uran Ismaili, që mban postin e ministrit të Shëndetësisë, rastin e ka quajtur krim të organizuar dhe ka thënë se i njëjti ka filluar në vitin 2003.
Sipas Ismailit, lejen e parë për ndërtimin e spitalit privat e kishte dhënë Ismet Beqiri dhe e kishte përfunduar Isa Mustafa i LDK-së, që në vitin 2015 ishte kryeministër i Kosovës.
Uran Ismaili, duke prezantuar disa dokumente zyrtare, që sipas tij, tregojnë kronologjinë e çështjes së spitalit, kërkoi nga institucionet e drejtësisë, zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti, që sipas tij, është e qartë që është krim dhe korrupsion.
Ministri i Shëndetësisë tha se “Afera Spitali” është procesi i gjatë i filluar në vitin 2003, kur edhe është caktuar lokacioni për ndërtimin e këtij spitali privat në Prishtinë.
Ai tha se përkundër këtij kundërshtimi, komuna e Prishtinës kishte pëlqimin që ky spital të fillonte të ndërtohej.
Ismaili tha se kryeministri i atëhershëm, Agim Çeku kishte marrë vendim që të pushonin punimet e këtij spitali, duke kërkuar nga komuna e Prishtinës ndryshimin e vendimit, meqë vendimi konsiderohej i gabuar edhe nga punëtorët shëndetësorë që atë kohë (2007) kishin protestuar.
Nënkryetari i PDK-së tha se nga viti 2008 deri në vitin 2014, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për licencimin e këtij spitali, PDK që ishte në qeveri, kishte refuzuar licencimin e tij, meqë ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ai tha se PDK kërkon nga organet e rendit që të reagojnë sa më shpejtë ndaj asaj, që siç tha ai, shihet që është krim e korrupsion dhe kushdo që është i lidhur me këtë duhet të vihet para drejtësisë.
Ismaili tha se nuk do të lejojnë fshehjen e krimit.







