PDK-ja nuk lut për koalicione

Ndonëse disa prej partive kanë bërë koalicion me njëra-tjetrën e disa të tjera janë në bisedime, Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon të mbesë e vetme përballë sfidës së 6 tetorit. Nga PDK-ja nuk kanë pohuar nëse kanë pasur ofertë nga ndonjë parti për bashkëpunim parazgjedhor, por kanë deklaruar se nuk do ta lusin asnjë subjekt politik për të lidhur koalicion.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare Partia Demokratike e Kosovës e kishte bërë koalicionin më të madh parazgjedhor në historinë politike të Kosovës, duke mbledhur pas vetes hiç më pak se 21 parti. Pas zgjedhjeve, duke iu bashkuar edhe Aleanca Kosova e Re, koalicioni i quajtur PAN arriti ta formojë Qeverinë në krye me Ramush Haradinajn.

Mirëpo, ndonëse tash kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit për paraqitjen e koalicioneve për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, PDK-ja ende nuk ka lidhur koalicion me asnjë parti politike. Subjektet opozitare, por edhe ato të cilat kanë qenë partnere të PDK-së në qeverisje deri tash kanë refuzuar bashkëpunimin me të, duke mos i lënë zgjidhje tjetër, pos shkuarjes si e vetme në zgjedhje.

Edhe pse deri tash PDK-ja ka qëndruar e heshtur sa u përket koalicioneve, nënkryetarë të saj kanë theksuar për “Zërin” se PDK-ja nuk e lut askënd për koalicion.

loading…