PDK-ja në Gjakovë nisë fushatën veçantë nga të tjerët VIDEO

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës,  në Gjakovë dje zyrtarisht ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 17 tetor.

Për dallim prej herëve të tjera, dega e PDK-së në Gjakovë ne krye me kandidaten për kryetare Arbënesha Kuqin dhe kryetarin e degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqaj, hapjen e fushatës e bënë në ambiente te hapura, si shkak i situatës me Covid-19.

Ata filluan rrugën me biçikleta nga qendra e qytetit në Gjakovë e deri në Shkugëz, ku aty duke respektuar masat anti-covid i prisnin kandidatët për asamble komunale të Gjakovës dhe përkrahësit e kësaj partie.

Kandidatja për kryetare të Gjakovës, Arbënesha Kuqi, gjatë hapjes së fushatës tregoi se pse e kanë zgjedhur këtë mënyrë te hapjes së fushatës.

“Zyrtarisht hapim fushatën e zgjedhjeve lokale ‘Gjakova 2021’, në fakt këto janë zgjedhjet lokale në nivel nacional, por na si Gjakovë, si PDK kemi zgjedh një mënyrë tjetër të hapjes së fushatës, një mënyrë alternative që është për të mirën e qytetit, të mirën e shëndetit. Kemi menduar edhe për gjendjen e pandemisë duke i respektuar masat. Këta mbrapa që po i shihni janë epika fituese bashkë kemi me ia dalë, bashkë kemi me i respektuar të gjitha masat e covidit”, tha ajo.

Para të pranishmëve, Kuqi foli edhe për prioritetet që kanë për qytetarët e Gjakovës, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve është primar.

“Prioritet i yni do të jetë puna, përkushtimi, puna në ekip, politika jonë do të jetë kryesisht shëndetit i qytetarëve”, deklaroi ajo.

E kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa, tha se kjo parti është mobilizuar dhe se do të dalë fituese në Gjakovë, por edhe në shumë komuna të Kosovës.

“Sot edhe zyrtarisht, dega e PDK-së në Gjakovë në harmonizim me vendimin e KQZ-së ka hap fushatën. Ne i urojmë të gjithë kandidatëve suksese, në veçanti kandidates për kryetare Arbnesha Kuqi. PDK dega në Gjakovë është mobilizuar si kurrë më parë, ka një program më të mirë të mundshëm për qytetarët. Programi i PDK-së është në harmonizim me kërkesat e qytetarëve të Gjakovës dhe ne këto ditë do të jemi bashkë me kërkesat e qytetarëve”, tha Beqa.

Ai ka ftuar edhe subjektet e tjera politike që të bëjnë një fushatë të qetë në harmonizim me rregullat e Institutit për Shëndetësi Publike.