E zbulon babai

Patrick Kluivert: Ëndërr e Justin është të luajë për Barcelonën

Ish sulmuesi i Barcelonës, Patrick Kluivert thotë se djali i tij, Justin ka ambicie të përsërit atë që babai i tij e ka bërë, të luajë për Barcelonën.

Justin Kluivert u transferua këtë verë te Roma nga Ajaxi, teksa ka startuar në vetëm dy ndeshje, zhvillim ky që e ka detyruar përzgjedhësin e Holandës, Ronald Koeman ta neglizhojë 19 vjeçarin.

Sidoqoftë, sipas Patrick Kluivert, starti i vështirë i talentit holandez nuk e ka zbrapsur atë t’i vendos vetës objektiva madhor.

“Sigurisht se Justin do të dëshironte një ditë të luante për Barcelonën. E ka përmendur këtë edhe më herët në opnion. Ai po përshtatet mirë te Roma, ndodhet në një skuadër me lojtarë që kanë dhe nuk kanë eksperiencë. Mendoj se duhet të fillojë të luajë më shumë ndeshje, të vrapojë shumë kilometra dhe pastaj patjetër se mund të luajë për Barcelonën. Është një ëndërr edhe e imja kjo, nëse e sheh se djali juaj po vazhdon në rrugën tuaj është një ndjenjë e veçantë”, theksoi Patrick Kluivert.

Ish sulmuesi holandez u aktivizua për 6 sezone në “Camp Nou”, gjatë të cilave shënoi 122 gola në 257 paraqitje.