Pastore fton Ibrahimovicin t’i bashkohet Romës

Javier Pastore, i cili ka gjetur vendin e titullarit te Roma falë performacës së tij të mirë nën drejtimin e trajnerit Fonseca, gjatë një interviste ftoi Zlatan Ibrahimovic t’i bashkohet te verdhekuqtë.

30-vjeçari deklaroi se suedezi është një futbollist i madh dhe se do të ishte fantastike që ai të rikthehej në kampionatin italian. Argjentinasi tha se Ibrahimovic është një futbollist që vë në lëvizje gjithçka, median dhe jo vetëm.

Ai theksoi se do të ishte e jashtëzakonshme nëse Zlatan i bashkohej Romës, duke shtuar se bashkë kanë një marrëdhënie shumë të mirë.

Gjithsesi për të arritur te 38-vjeçari ekipi nga kryeqyteti duhet të mposhtë konkurrencën e Milanit, që kërkon ta rikthejë me çdo kusht gjigantin suedez me ngjyrat kuqezi.