(Pa)siguria e shqiptarëve të veriut në zgjedhjet e 23 prillit

Kelmendi, Boletini dhe Zhazha, janë tre fshatrat që i përkasin komunës së Zveçanit. Banorët e tyre tregojnë se ndjehen të lënë anash prej institucioneve vendore, derisa thonë se po ashtu se ndihen jo të sigurt që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit. Kjo pasiguri ka ardhur si pasojë e zhvillimeve të fundit atje.

Pavarësisht që Kelmendi bashkë me dy fshatra të tjerë Boletinin edhe Zhazhën, i përkasin komunës së Zveçanit, janë të populluar me banorë shqiptarë. E jeta e këtyre shqiptarëve këtu është e lidhur me urbanizmin e jugut të Mitrovicës.

Çdo herë kur dikush në familje ka nevojë për barna, Ramadani Kelmendi në këmbë nga fshati Kelmend bënë rrugë deri në Mitrovicën e Jugut për të shkuar në barnatore.

“Gati na e kanë kthyer shpinën institucionet. Pika e parë, një katund që s’ka siguri me shkua në qytet, p.sh. unë jam duke shkuar me i ble barnat për nënat, nuk kam siguri të shkoj, por duhet me shkua”, ka thënë për RTV Dukagjinin, Ramadan Kelmendi – banor i fshatit Kelmend.

Aktualisht këto fshatra janë të qeta e zhurma e vetme e këtyre ditëve janë cicërimat e zogjve.

Por, banorët e kësaj pjese nuk presin qetësi në ditët në vazhdim para zgjedhjeve të 23 prillit.

“Sivjet është diçka tjetër. Sivjet po e shoh se edhe ata që kemi qenë komisionerë nëpër zgjedhje jemi të pasigurt me marrë pjesë në këto zgjedhje”, ka deklaruar Kelmendi.

E kjo pasiguri duket vjen si pasojë e zhvillimeve që kanë ndodhur kohëve të fundit në veri të vendit.

“Por duke i marrë parasysh që kanë ndodhur shumë raste përpara nëpër territorin tonë, rrugës na kanë maltretu nga pak. Na kanë gjuajtur e na kanë rreh kapak, por nuk ka marrë askush asnjë lloj iniciative”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e 23 prillit pjesëmarrëse nuk do të jetë Lista Serbe, e cila ka qeverisur për shumë vite në katër komunat e veriut të Kosovës/