Pasardhësit e iPhone XS dhe XS Max do të quhen iPhone Pro

Ndërsa i afrohemi Vjeshtës, e gjithë vëmendje kthehet drejt Apple. Një raport Bloomberg sjell mbase informacionet më të qarta rreth telefonëve të rinj të Apple, përfshirë iPhone “Pro” të cilët do të zëvendësojnë XS dhe XS Max.

Dy prej iPhone do të kenë në fokus kamerën me një dizajn lentesh të trefishtë. Për herë të parë një iPhone do të ketë një lente me kënd të gjerë. Së bashku me telefonët e rinj raporti flet edhe për planet e kompanisë rreth iPad, Apple Watch dhe MacBook Pro.

Ashtu siç është spekuluar më parë, edhe ky raport thotë se Apple do të prezantojë telefonët e rinj më 10 Shtator.

Modelet Pro do të vinë me dy teknologji të reja: karikimi wireless i aksesorëve dhe një Face ID me kënd të gjerë. Kjo do të thotë se iPhone rinj do të mund të karikojë pajisje të tjera si AirPods e madje edhe një iPhone tjetër.

Ndërsa modeli buxhetor iPhone XR do të pajiset me një kamër të dytë për zmadhim objektesh dhe modalitet portret. Së fundi ashtu siç pritet iPhone e rinj vinë me procesorët më të fuqishëm A13 si dhe një komponent të quajtur AMX i cili mund të kryejë detyra të vështira që kanë të bëjnë me realitetin e shtuar.

Asnjë prej telefonëve nuk ka konektivitet 5G prandaj do të duhet të prisni deri në 2020 që kjo të bëhet realitet.

Bloomberg thotë se në aktivitetin e iPhone kompania do të prezantojë një model 16-inç MacBook Pro por do të jetë i ngjashëm në madhësi me 15-inç MacBook Pro për shkak të kornizave të holla.

Në lidhje me iPad, raporti thotë se dy modelet 11-inç dhe 12.9-inç iPad Pro do të mbërrijnë së bashku me hapjen e shkollave me një procesor më të fuqishëm dhe kamera më të mira. iPad më i lirë do të kalojë nga 9.7-inç në 10.2-inç.