Pas raportimit të Ballkani.info, Lushtaku kërkon të mirren masa ndaj moderatores së RTK-së

Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës është shprehur i shqetësuar me mënyrën e shprehjes së moderatores nga televizioni publik RTK2, Aleksandra Dogangjiq, e cila vazhdon t’i referohet Kosovës me termin e Serbisë “Kosova dhe Metohija”.

Ai u ka bërë thirrje menaxhmentit të RTK-së që të marrin masa ndaj moderatores së lartëcekur, e cila edhe në vitin 2018 në bazë të raportimit të mediave i’u kishte shqiptuar masa disiplinore – suspendim në afat prej një muaj.

Reagimi i tij:

Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, më ka shqetësuar mënyra se si moderatorja nga televizioni publik RTK2, Aleksandra Dogangjiq, vazhdon t’i referohet Kosovës me termin e Serbisë “Kosova dhe Metohija”, përkundër që ajo paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me këtë veprim ajo ka dëmtuar rëndë imazhin e televizonit publik RTK2. Përdorimi i këtij termi nga ana e saj i shërben politikës së Serbisë e cila asnjëherë nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e bërë ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës.

Andaj i bëj thirrje menaxhmentit të RTK-së që të marrin masa ndaj moderatores së lartëcekur, e cila edhe në vitin 2018 në bazë të raportimit të mediave i’u kishte shqiptuar masa disiplinore – suspendim në afat prej një muaj. Meqenëse nuk e respekton institucionin dhe shtetin ku ajo jeton dhe vepron, atëherë aq më pak e meriton të punoj aty dhe të paguhet nga taksat tona.

Ne sipas Kushtetutës jemi shtet multietnik dhe respektojmë të gjitha minoritetet, madje karakterizohemi nga ajo që quhet diskriminim pozitiv. Por edhe minoritetet e sidomos minoriteti serb, duhet ta dijë se nuk kanë të drejtë që të nënçmojnë, degradojnë dhe të fyejnë qytetarët e Republikës së Kosovës më thirrje shoviniste “Kosova Metohija”.