Pas dështimit të planit rus, Mickoski përfundon në spital

Kryetari i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski është shtrirë sot në spital.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Mickoski, duke ndarë në rrjetet sociale fotografi nga spitali.

Ai ka shfrytëzuar këtë ngjarje për të bërë shaka, duke thënë se ka qenë një ditë dinamike, me shantazhe e krime.

“Një ditë dinamike. Deputeti i rrëmbyer, krimi, shantazhi, turpi dhe sigurisht dëshira më e madhe e LSDM-BDI-së për të mos më pasur në politikë… , ndihem mirë. Një falënderim i madh për Dr. Dzikovski, Srceva, Peev dhe të tjerët. Ne shkojmë më tej, ne jemi ata që ata nuk janë – Të bashkuar për një të ardhme të re të Maqedonisë!”, ka shkruar Mickoski.

Lideri i opozitës Mickoski tash e disa kohë është në qendër të vëmendjes për shkak të përpjekjeve për të ardhur në pushtet si dhe mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Zoran Zaev.