Pas familjarëve të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, edhe një familjar i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet – Fitore Pacolli ka përfituar një grant prej 100 mijë eurove nga Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Faton Peci.
Blerim Pacolli, vëllai i deputetes, Fitore Pacolli, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ka përfituar rreth 100 mijë euro për “ndërtimin e një shtalle me lopë qumështore”.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka potencuar se Ministria të cilën ai e drejton “nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.
Ai ka potencuar se programi i ndarjes së granteve është proces “transparent i drejtë dhe mbi të gjitha meritor”.
Kjo nuk është rasti i vetëm ku familjarë e të afërm të zyrtarëve më të lartë të shtetit kanë përfituar grante e subvencione nga ministria e Bujqësisë.
Rasti i fundit për të cilën raportoi Albanian Post ishte ai i axhës së kryekunvedarit, Glauk Konjufcës.
Albanian Post raportoi se familjarët e Konjufca, kanë përfituar subvencione në bujqësi në vlerë prej 50 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë.
Tomor Konjufca kishte thënë për Albanian Post se kanë përfituar për herë të parë subvencione nga Qeveria Kurti, meqë arsyetohet se u refuzuan nga ato parapraket.
Por, Tomori kishte mohuar kategorikisht që kreu i Kuvendit pati ndikim që të përfitojnë nga shteti. Thotë se familja e tij merren me bujqësi qe tri dekada.







