Pas 27 vjetësh rivarroset në vendlindjen e tij Rifat Berisha

Në Gurbardh të Malishevës është bërë rivarrimi i Rifat Berishës, i zhdukur 27 vjet më parë në Bosnje, gjatë luftës në atë vend.

Pas kërkimeve të vazhdueshme të familjes janë gjetur eshtrat e tij dhe janë kthyer dje në vendlindje, ndërsa sot është bërë rivarrimi i tij.Në ceremoninë e rivarrimit, krahas familjarëve, miqve dhe afërmve të tjerë, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, Prenk Gjetaj nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit dhe përfaqësues të subjekteve politike në Malishevë.

Kryetari Begaj tha se shqiptarët me shekuj i ka përcjellë ky fat, që të zhduken në luftëra të ndryshme, ku shumë prej tyre, nuk janë gjetur asnjëherë, por Rifatin e ka thirr toka e vet dhe falë këmbëngulësisë së familjes, është gjetur dhe u kthye që eshtrat e tij të prehen në tokën ku ka lindur.

Ndërsa Prenk Gjetaj tha se adresa e këtyre krimeve është Beogradi zyrtar që vazhdon t’i mbajë të fshehur gjurmët e krimeve, andaj ftoi ndërkombëtarët që të ushtrojnë presionin e tyre për zbardhjen e të gjitha rasteve të krimeve dhe t’i tregojnë se ku i kanë varrosur të vrarët.Ndryshe, në Komunën e Malishevës, nga lufta e fundit vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona.

loading…