Sportet ekstreme

Parashutisti bllokohet në telat e rrymës

Ndërprerjet e rrymës janë të shpeshta në Venezuelë. Rajoni lindor i Tachiras shpesh ankohet se nuk kanë rrymë deri në tetë orë në ditë. Korporata e energjisë, e cila është në pronësi publike, rrallë jep arsye për këto ndërprerje. Sidoqoftë, të dielën ata nuk ngurruan të lajmërojnë se e kanë ndalur rrymën për ta shpëtuar një parashutist, i cili kishte mbetur i varur në telat e rrymës.

Ministri i Energjisë, Luis Motta Dominguez, tha se burri fatmirësisht ka rënë në një tel përforcues, i cili nuk e kishte funksionin e përçimit të rrymës. Ai e publikoi një fotografi në Instagram, në të cilën tregoi se dy tela të afërt me telin përforcues është dashur të shkëputen nga burimet e rrymës, në mënyrë që të lirohet parashutisti.

Më vonë u raportua se ai është shpëtuar, por nuk dihet nëse ka pësuar lëndime. Ministri tha se ndërprerja e rrymës për këtë arsye i kishte prekur 360 qendra të votimit, në ditën kur në rajonin lindor po mbaheshin zgjedhjet lokale, shkruan “BBC”.