Pallaska sqaron se çfarë është gjendja e jashtëzakonshme

Avokati dhe juristi kosovar, Dastid Pallaska, ka dhënë mendimin e tij rreth propozimit të presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë pas situatës së krijuar nga virusi Covid-19, apo siç njihet ndryshe koronavirusi

Pallaska ka treguar se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkupton vendosjen e një sërë masash ose kufizimesh të paracaktuara.

“Përkundrazi, masat dhe kufizimet që mund të vendosen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të dizajnohen në bazë të situatës dhe/apo rrezikut të krijuar, të cilave këto masa dhe kufizime synojnë t’i përgjigjen. Kjo për shkak, se sipas Kushtetutës, masat dhe kufizimet që vendosen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të jenë në propocion me rrezikun dhe/apo situatën e krijuar”, ka shkruar Pallaska në Facebook.

Lexojeni të plotë postimin e avokatit Dastid Pallaska:

Në lidhje me një konflikt të panevojshëm kushtetues ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit që rrezikon shëndetin publik

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkupton vendosjen e një sërë masash dhe/apo kufizimesh të paracaktuara. Përkundrazi, masat dhe kufizimet që mund të vendosen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të dizajnohen në bazë të situatës dhe/apo rrezikut të krijuar, të cilave këto masa dhe kufizime synojnë t’i përgjigjen. Kjo për shkak, se sipas Kushtetutës, masat dhe kufizimet që vendosen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të jenë në propocion me rrezikun dhe/apo situatën e krijuar.

Mbi këtë bazë, Presidenti ka detyrim kushtetues që paraprakisht të shpalosë dhe të arsyetojë – sipas kritereve të lartpërmendura kushtetuese – masat dhe kufizimet që propozon të vendosen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si dhe kohëzgjatjen e propozuar të gjendjes së jashtëzakonshme.

Është e papranueshme që Presidenti të flet për mobilizim dhe përdorim të Forcës së Sigurisë brenda vendit pa treguar masat dhe kufizimet që duhen të vendosen dhe pa arsyetuar se pse këto masa dhe kufizime mund të zbatohen vetëm nga Forca e Sigurisë.

Po aq i papranueshëm është dështimi i Kryeministrit për të kërkuar përgjigje në pyetjet e dhëna më lartë dhe refuzimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme vetëm pse propozimi është bërë nga Presidenti.

Mungesa e bashjërendimit ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit në lidhje me këtë çështje rrezikon seriozisht shëndetin publik.

E pabesueshme që pas tre ditë të një bashkërendimi të kënaqëshëm – së paku në dukje – të institucioneve përgjegjëse për shëndetin publik, të bëhemi dëshmitarë të një konflikti të panevojshëm ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit, i ushqyer ekskluzivisht nga nevoja e tyre për protagonizëm dhe për më shumë pushtet, qoftë edhe nëse kjo rrezikon shëndetin publik.