Paketa financiare për Ballkanin

Pandemia e koronavirusit ka vënë në dyshim pakon e investimeve që Bashkimi Europian kishte planifikuar më herët për Ballkanin Perëndimor. Kjo pako do të prezantohej gjatë samitit të Zagrebit më 6 maj së bashku me metodologjinë e re të zgjerimit, por tani Brukseli nguron ta konfirmojë.

Komisioni Europian nuk ka vendosur ende se çfarë do të ndodhë gjatë samitit BE – Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në formatin e videokonferencës më 6 maj, samit gjatë të cilit fillimisht, para shfaqjes së pandemisë, ishte parashikuar të prezantohej një paketë investimesh për rajonin.

Aktualisht ekzekutivi i BE-së është i përqendruar në përgjigjen ndaj pandemisë së koronavirusit, por do të vazhdojë të punojë për një plan investimesh ekonomike, tha zëdhënësja Ana Pisonero. Ajo iu shmang përgjigjes së pyetjes nëse në Zagreb do të paraqitet plani i paralajmëruar për mbështetje financiare për Ballkanin Perëndimor.

“Ekziston një paketë domethënëse në tryezë. Flasim për më shumë se 410 milionë euro, plus 190 milionë euro, që do të ndihmojnë në mbajtjen e likuiditetit përmes bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare,” tha Pisonero.

Paketa financiare për Ballkanin Perëndimor është njoftuar nga zyrtarë të Komisionit Europian para shfaqjes pandemisë së koronavirusit, përfshirë presidenten e këtij institucioni, Ursula Von der Leyen. Samiti midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian do të mbahet në Zagreb më 6 dhe 7 maj.

Përveç paketës financiare, është planifikuar që në këtë samit të prezantohet edhe metodologjia e re e zgjerimit e bllokut, para së gjithash, do të zbatohet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Për shkak të izolimit të shkaktuar nga panedemia, samiti do të zhvillohet në formatin e video-konferencës.