Pagesa e kompanisë konsulente 58 mijë euro nga Kurti pa procedura prokurimi, reagojnë nga Qeveria

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pasi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, përmendi pagesën e një kompanie konsulente nga ana e kryeministrit Kurti 58 mijë franga pa procedura prokurimi për në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Botëror Ekonomik.

Ndonëse nuk e ka mohuar pretendimin e Hotit për këtë pagesë, Kryeziu ka vijuar me stilin e zakonshëm, duke radhitur “sukseset” e kryeministrit si kundër-reagim ndaj deputetit të LDK-së.

Më çka nuk është i kënaqur deputeti Hoti?

) Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Kurtin në Davos në mesin e shumë liderëve botërorë?

2) Me organizimin e konferencës për investitorë të huaj?

3) Me ftesën që po bën për investime të huaja në vend?

4) Me takimin me kryeministren e Finlandës, vend anëtar ky i BE-së, e cila së fundmi ka aplikuar në NATO, synim ky edhe i joni?

5) Me kërkesën për më shumë siguri për Kosovën përmes më shumë trupave të NATO-s në Kosovë? Siguria e shtuar për Kosovën është siguri edhe për investitorët

6) Me shpërfaqjen e Serbisë para opinionit ndërkombëtar, lidhjeve të saj me Rusinë dhe qëllimeve të përbashkëta për destabilizim të Rajonit?

7) Me faktin që Albin Kurti është kryeministër i Kosovës?”, ka deklaruar Kryeziu.

Në anën tjetër, ish-kryeministri Hoti ka kritikuar Kurtin përveç kësaj pagese edhe për deklaratat konfliktuoze dhe thirrjet për investim, të cilat, sipas tij, nuk shkojnë bashkë.

“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi. Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka. Çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?!”, ka deklaruar ndër të tjera Hoti.