Pacolli premton 60 mijë vende të punës

Kandidati për deputet nga koalicioni Nisma-AKR-PD dhe njëkohësisht lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli ka premtuar rritje ekonomike 8 për qind dhe 60 mijë vende të punës

I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” të T7, Pacolli tha se nëse koalicioni i tij bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, do të ketë rritje ekonomike prej 8%.“Qeveria e ardhshme do të arrijë një rritje ekonomike prej 8 për qind”, ka thënë Pacolli dhe premtoi se me këtë rritje ekonomike do të hapen 60 mijë vende të punës.“Me këto 8 për qind, nënkuptojmë 60 mijë vende të punës”, premtoi Pacolli.

Ai siguroi se Kosova ka resurse të mjaftueshme që të arrijë një rritje ekonomike prej 12 për qind.Pacolli ndër të tjera ka folur edhe për planin e tij ekonomik.

Ai thotë se as 2% e planit të tij ekonomik nuk është zbatuar. Kjo qoftë për shkak të pengesave të caktuar, qoftë për shkak të mungesës së vullnetit. Tutje thotë se premtimet e disa politikanëve janë jo të sinqerta.“Ende flasin për hapje të minierave sikur të ishin vitet e 80-ta. Atëherë ishte kohë tjetër”, thotë Pacolli.“Tani është koha e ekonomisë liberale ku shteti duhet t’i plotësojë kushtet e sigurisë që investitorët të vijnë dhe të investojnë në shtetin tonë”, tha ai.

Pacolli thotë se ai nuk është i interesuar të investojë në minierën e Trepçës, pasi që nuk është fusha e tij.

loading…