Pacienti kërkoi ndihmë në mëngjes në kirurgji: Mjeku më tha “ku e gjete në këtë kohë me ardhë”

Një pacient shkoi në Emergjencë në orët e hershme të mëngjesit ku kërkoi ndihmë në dhomën e kirurgjisë, por mjeku e priti duke i thënë “ku e gjete në këtë kohë me ardhë”.

Pacienti Adem Hoti ka deponuar një ankesë me shkrim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndaj specializantit Dr. Agon Bislimi të Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale për një rast që ka ndodhur më 12 maj, shkruan Gazeta Shneta.

Pacienti ka shkruar në ankesën e tij se kishte shkuar në ora 05:30 në Emergjencë me dhimbje të mëdha të barkut, por pasi mjekët e Emergjencës e kishin referuar për në dhomën e kirurgjisë, mjeku që kishte qëlluar atje kujdestar nuk e kishte pritur fare mirë.

“Më ka than ku ja gjete në këtë kohë me ardh dhe më ka ofendu se jam i pa edukatë. Unë me gjithë dhimbjen së pari jam përmbajt, por pastaj ka fillu me më detyru me nënshkru bajagi se unë nuk kam ardh me u kontrollu. Më ka than se kam me të akuzu ty dhe dr. në Lipjan”, ka shkruar Hoti në ankesën e tij.

Në fund ai falënderon një infermiere për të cilën thotë se fal ndërhyrjes së saj është evituar edhe përleshja fizike me mjekun. “Desha ta falënderoj ni motër se patëm me u përball edhe fizikisht”, ka shkruar Hoti në ankesën e tij.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga vet specializanti Bislimi por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës të dërguara më 12 maj.

Përgjigje nuk kanë kthyer as menaxhmenti i QKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë.