Pavarësisht problemeve

Ozil ende e mbështet Gjermaninë

Mesut Ozil në një diskutim virtual në Twitter me fansat e tij, ka zbuluar se ende e përkrahë kombëtaren e Gjermanisë përkundër se u pensionua nga “Die Mannschaft” në mënyrë problematike.

Ozil u pensionua nga kombëtarja e Gjermanisë pas përfundimit të Kupës së Botës, gjatë të cilës është krtikuar shumë për një foto të bërë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Unë gjithmonë kam qenë një tifoz i kombëtares së Gjermanisë, që nga fëmijëria dhe tani kam shumë shokë që luajnë atje. Sigurisht që e mbështes ende”, iu përgjigj Ozil në Twitter pyetjes së një ndjekësi.

Ozil zbuloi se stadiumi që më së shumti i pëlqen është “Santiago Bernabeu”, ndërsa i dha mbështetjen e tij edhe trajnerit të Real Madridit, Julen Lopeteguit, i cili është nën presion pas krizës së rezultateve.

Futbollisti i Arsenalit tregoi se futbollisti më i mirë që ka luajtur së bashku është Cristiano Ronaldo, ndërsa më i mirë që e ka pasur kundërshtar, Lionel Messi.