OVL e UÇK-së paralajmëron protesta për Sylejman Selimin

Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Sylejman Selimit, sepse sipas tyre ai po mbahet padrejtësisht në burg.

OVL e UÇK-së e kanë konsideruar këtë proces kryekëput politik duke thënë se sistemi i drejtësisë ndaj tij është hiq më pak së ‘politik, i padrejtë, injorues, aspak profesional dhe degradues për vet sistemin’.

Po ashtu përmes këtij njoftimi ata kanë deklaruar se në fillim të javës do të njoftojnë për mënyrën dhe formën e protestave në mbrojtje të së drejtës për Sylejman Selimin dhe vlerave të luftës.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së e së fundmi ambasador i Kosovës në Shqipëri ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 dhe ishte dënuar më 6 vjet burg.

Sipas tij, vendimi i panelit erdhi pasi nuk pati vullnet politik “të atyre që thirren në drejtësi”.

Gjykata e Apelit i kishte bashkuar dënimet për rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2” dhe e kishte dënuar Sylejman Selimin me dënim unik prej 10 vjetësh.

Edhe Jahir Demaku u dënua me 7 vjet burg, për rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2” nga Gjykata e Apelit.”

Postimi i plotë i OVL UÇK-së:

Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës njofton të gjitha mediat dhe opinionin e gjerë se është duke analizuar dhe përcjellur situatën aspak të mirë që po behët kundër vlerave të Luftës së lavdishme çlirimtare dhe pjesëtarëve të saj, madje këto padrejtësi po i behën nga vet e ashtuquajtura “drejtësi” dhe nga individ të caktuar shqipfolës, të cilët me apo pa qellim po i kontribuojnë politikës fashiste të Serbisë.

Rasti i fundit i mbajtjes në burg, pa vendim të prerë dhe pa bazë juridike të Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, TMK-së e FSK-së, Gjeneral Sylejman Selimit është kulmi i marrëzive të kësaj “drejtësie” dhe i të gjithë atyre institucioneve dhe institucionalistëve që i kanë futur veshët n’lesh e po heshtin para kësaj padrejtësie që po i behët Gjeneral Selimit.

Është parë dhe tani më është e kuptueshme për secilin qytetar së Gjeneral Sylejman Selimi po mbahet padrejtësisht në burg, madje për mbajtjen e tij në burg nuk ka asnjë bazë juridike, sepse në të dyja rastet ku Gjeneral Selimi ka qenë i akuzuar, është shpallur i pafajshëm, si në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”. Ky proces është kryekëput politik. Prandaj sistemi i “drejtësisë” ndaj tij është hiq më pak së politik, i padrejtë, injorues, aspak profesional dhe degradues për vet sistemin. Këtë e vërteton publikisht dhe botërisht avokati i tij Tomë Gashi, avokatët tjerë të rastit dhe shumë njerëz profesionistë të vet sistemit të drejtësisë!

Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, bashkëluftëtarët e tij, shokët e luftës e të paqes, ushtarët e denjë të atdheut, njerëzit e mirë e të drejtë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Gjeneral Sylejman Selimit, sepse jemi të sigurt në pafajësinë e tij, dhe, nga padrejtësitë e mëdha që po bëhen ndaj tij dhe luftëtarëve tjerë të lirisë, besimit dhe durimit tonë në këtë “drejtësi” i erdhi fundi! Në fillim të javës do të njoftojmë për mënyrën dhe formën e Protestave, ndoshta edhe të Demonstratave gjithëpopullore në mbrojtje të së drejtës për Gjeneralin dhe vlerave të luftës.