Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, uroi presidenten e parë grua të zgjedhur të Meksikës, Claudia Sheinbaum, ndërsa shprehu shpresën se zgjedhja e ish-kryetares së kryeqytetit meksikan në krye të shtetit do të ofrojë një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Meksikës.

“Urime për presidenten e sapozgjedhur, Claudia Sheinbaum, në zgjedhjen e saj historike si presidentja e parë grua e Meksikës. Në një botë që përballet me shumë sfida, është frymëzuese të shohësh më shumë gra që marrin role udhëheqëse. Shpresoj se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim të zgjeruar mes vendeve tona”, shkroi Osmani.

Sheinbaum, 61 vjeçe, fitoi rreth 60 për qind të votave në zgjedhjet më të mëdha në historinë e Meksikës, duke shënuar një arritje historike në një komb kryesisht katolik i njohur për kulturën thellësisht patriarkale dhe dhunën e skajshme në baza gjinore. Për këtë arsye, zgjedhja e Sheinbaumit përshkruhet si një ndryshim i madh për të drejtat e grave në Meksikë.

Meksika, sa i përket politikës së jashtme, për shkak të gjeografisë, historisë së përbashkët dhe lidhjeve kulturore, mbetet një nga partnerët më të afërt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), por ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndonëse kërkesa për njohje ekziston prej kohësh në Mexico City.