Në kuadër të vizitës së saj në ShBA, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim edhe me presidentin e Kenias, William Ruto.
Teksa ka ndarë pamje nga takimi me të, Osmani tha se me Ruton kanë diskutuar thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t’i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, është shprehur ajo.
Ruto është mik i liderit të AKR’së Behgjet Pacollit. Ky vend i madh afrikan ende s’e ka njohur Kosovën.
Në mars të ketij viti Kenia kishte njohur pasaportat e Kosovës.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve”, njofton presidenca.
Ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, dha detaje nga ky takim zyra e presidentes.
“Presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike”.







