Osmani kërkon që të blihen maska për qytetarët, Ministrja Bajrami i thotë se ka mjaftë

Me anë të një amendamenti, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka propozuar sot shpenzimin e 3 milionë eurove nga buxheti i Kosovës që qytetarëve të vendit të ju dhurohen maska falas.

Osmani ka propozuar këtë amendament duke u bazuar në praktikat e disa shteteve.

“Në Belgjikë ta zëmë është vepruar mbi parimin që çdo qytetar do të marrë maska falas, në Francë janë dhënë maska shumëpërdorimshe për qytetarët”, ka thënë Osmani, duke kërkuar edhe mbështetjen e deputetëve.

“Kërkoj mbështetjen tuaj në sigurimin e maskave shumëpërdorimshe, në vlerën prej 3 milionë euro, përkundër faktit që qeveria ka siguruar një kontingjent të maskave, e kanë konfirmuar se mund të bëhet shpërndarja e tyre, ne nuk e dimë edhe sa do të zgjasë kjo pandemi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se në atë moment kur maskat bëhen obligative, shteti duhet që t’ia sigurojë të njëjtat falas qytetarëve.

“Shumë më e madhe është kostoja e shërimit se sa e parandalimit. Në mënyrë që t’i sigurojmë qytetarët me maska, sepse kur e obligon duhet edhe ta ndihmosh, ju ftoj që ta votoni këtë amendament që është i rëndësisë së veçantë ku ne do të duhej të mësohemi të jetojmë me virusin”, ka thënë Osmani duke treguar se nga cila pjesë e projekteve mund të merren të hollat.

“Projektet për vetura të blinduara, furnizimi me mobile dhe disa miliona për infrastrukturë, mbrojtja e jetëve është më e rëndësishme se çdo projekt tjetër”, ka thënë Osmani.

Në emër të Qeverisë, ndaj propozimit të Vjosa Osmanit ka reaguar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

“Në emër të ministrit të Shëndetësisë dola të ju them këtu se janë 500 mijë maska që qeveria i ka në stok derisa janë 600 mijë tjera që vijnë me 1 shtator. Sipas Ministrit të Shëndetësisë ka sasi të mjaftueshme”, ka thënë Bajrami.

Megjithatë, Osmani është arsyetuar duke thënë se meqë nuk dihet se sa do të zgjasë pandemia, është mirë që të ketë rezerva.

Ky propozim i Osmanit ka dështuar që t’i marrë votat e deputetëve, pasi që ka marrë 28 vota për 37 kundër dhe 12 abstenime.