Vetëm 15 për qind e zyrtarëve në Policinë e Kosovës janë vajza e gra. Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë 1316 pjesëtare të policisë, megjithatë 10 për qind e të graduarve janë vajza e gra.

Por pjesëmarrja e tyre pritet të shtohet, meqë Policia lansoi agjendën për barazi gjinore dhe planin e veprimit deri në vitin 2023.

Në ngjarjen e së hënës mori pjesë edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, sipas së cilës pjesëmarrja e grave në  këto institucione e rrit sigurinë në vend e po ashtu edhe besueshmërinë e qytetarëve. Sipas Osmanit, duhet të shmangen stereotipet se institucionet e sigurisë janë për burra.

Për më shumë vajza e gra në polici bëri thirrje edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili i tha shoqatës së grave police që të kritikojnë më shumë kur vërejnë se nuk ka angazhim e përkushtim të duhur për agjendën gjinore.

Përkrahës i kësaj iniciative do të jetë edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Decanport, që tha se kjo agjendë do ta rreshtojë Policinë e Kosovës edhe më tutje në standardet ndërkombëtare e veçanërisht në rezolutën e Këshillit të Sigurisë për gratë dhe sigurinë.

Edhe sipas drejtorit të policisë, Samedin Mehmeti, pjesëmarrja e grave në institucionet e sigurisë është faktor nxitës për ndryshimet pozitive në polici.