Organizata ‘Paqja Studentore’ reagon për dëmet që po iu shkaktohen studentëve nga greva

Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës (PS-UP), ka reaguar duke deklaruar se është kundër çdo dëmtimi që i bëhet studentit.

Kjo organizatë vlerëson se greva po u shkakton probleme për shkak të mos mbajtjes së provimeve, të cilat janë mënyra kryesore për vlerësimin e tyre. Mosmbajtja e provimeve po shkakton një kaos në universitet.

Veç kësaj edhe mosfunksionimi i administratës së fakulteteve po u pamundëson studentëve që të kryejnë punët administrative, përfshirë këtu pamundësinë e nxjerrjes së dokumenteve për aplikim për bursë komunale.

Paqja Studentore është kundër çdo pengese që i bëhet studentëve, duke iu pamundësuar diplomimin në afat dhe humbjen e mundësisë për aplikim për vazhdimin e studimeve jashtë vendit.

Sipas Organizatës Paqja Studentore për pasojë e grevës studentët nuk mund të kenë qasje në bibliotekat e fakulteteve të tyre, të cilat janë ndërtuar për shfrytëzim nga ana e studentëve.

Gjithashtu, PS-UP është kundër mbylljes së programeve studimore të universiteteve publike në Kosovë, për shkak se mbyllja e programeve ua pamundëson studentëve të studiojnë ato fusha.

Paqja Studentore bën thirrje që të zgjidhen të gjitha çështjet që pengojnë mbajtjen e provimeve dhe zhvillimin e arsimit të lartë. Ajo do të vazhdojë të jetë zëri i studentëve.