OKB: Gjermania e Britania e bëjnë Daçiqin ‘të flas me vetën’

Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara është folur edhe për krimet serbe në Kosovë gjatë vitit 1999.

Ivica Daçiq, ministri i jashtëm serb krejtësisht ndryshe është ankuar në OKB se Kosova e ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa në anën tjetër, ministra e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla është shprehur se Serbia po i fsheh viktimat e krimit që ende janë të zhdukur.

E lidhur me këtë çështje, pranë Kosovës ka qëndruar edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Thomas Phipps.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, qeveria e Britanisë së Madhe ka treguar se mbështet marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Britania është e gatshme të mbështesë një marrëveshje normalizimi, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë nga e cila përfitojnë popujt e të dy vendeve. Ne e mirëpresim rinisjen e dialogut të lehtësuar nga BE dhe të udhëhequr nga Miroslav Lajçak.”, thuhet në postimin e tyre.

Gjithashtu, në këtë postim, thuhet se nuk mund të lejohet mosndëshkimi i krimeve të luftës të kryera në vitin 1999.

“Ne nuk mund të lejojmë mosndëshkimin e krimeve të luftës të kryera në kohën e konfliktit 1999. Mbretëria e Bashkuar mbështet përpjekjet për të parë drejtësinë dhe nuk e mbështet progresin e ngadalshëm të ndjekjeve penale. Ne nxisim Serbinë dhe Kosovën që të punojnë së bashku në trajtimin e këtyre krimeve historike.”, thuhet në këtë postim.

E Daçiq një goditje të fortë e mori edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara.

Në fjalimin e sotëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori gjerman, Christoph Heusgen e kritikoi Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Siç thotë ai, i duket se fjalimi i tij është “kopjim i teksteve të mëparshme” dhe në lidhje me politikën e mos njohjes së pavarësisë të Kosovës, ai tha se “miqtë tanë serbë po e qëllojnë veten në këmbë”.

“Unë jam i befasuar nga kjo politikë e përpjekjes për të tërhequr njohjen. Miqtë tanë serbë janë duke qëlluar veten në këmbë, sepse nëse ata duan t’i bashkohen me BE-së, ata duhet të punojnë në njohjen dhe ta njohin vet (Kosovën)”, tha ambasadori gjerman.

Ai shtoi se fjalimi i Daçiqit dukej si “kopi paste” pasi që diplomati gjerman tha se përfaqësuesit e Serbisë flasin shumë për krimet e shqiptarëve dhe se, siç pretendon ai, kurrë nuk kanë dëgjuar për krimet e kryera kundër shqiptarëve në vitin 1998 dhe 1999, të tilla si, spastrimi etnik dhe dëbimin masiv.