Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe bizneset në vend janë shprehur të shqetësuar se Kosova është duke u përballur me mungesë të fuqisë punëtore si shkak i largimit të të rinjve nga vendi.
Ata thonë se mungesa e punëtorëve është duke u vërejtur edhe më shumë pas liberalizmit të vizave, prandaj, për këtë, ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa në hartimin e një strategjie që parandalon ikjen e tyre dhe mundëson kthimin e tyre në formën e investitorëve.
Kryetari i OEK-ut Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova është duke u përballur me sfidën e mungesës së fuqisë punëtore dhe si shkak i kësaj, ai ka theksuar se bizneset po detyrohen që të marrin punëtorë nga vendet e huaja.
Ai ka thënë se sektorët që janë duke u përballur më shumë më këtë fenomen janë sektori i ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë.







