Oda e Noterëve kundërshton hapjen e 79 zyrave të reja noteriale

Këshilli Drejtues i Odës së Noterëve i është drejtuar me një letër ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, lidhur me hapjen e konkursit për shpalljen e 79 zyrave të reja noteriale në tërë territorin e Kosovës.

Sipas tyre, shtimi i këtyre zyrave është i jashtëligjshëm dhe jo praktik.

Ata në letrën e dërguar Tahirit, thonë se një rritje e tillë do të krijojë shumë vështirësi në vetë ekzistencën e zyrave aktuale, e sidomos edhe për zyrat e reja.

Sipas tyre, për disa komuna 1 zyrë noteriale do të jetë për 2.000 banorë dhe pas një rritje të tillë do të vije në shprehje ekzistenca e zyrave noteriale, si pasojë e së cilës do t’i hapet rrugë pasigurisë juridike që nënkupton shkatërrimin total të shërbimit të noterisë.

“Këshilli Drejtues i Odës së Noterëve, bazuar edhe në reagimet e zyrave noteriale në Kosovë, konsideron se ky hap i ngutshëm për thirrje për aplikim për 79 zyre të reja Noteriale është edhe në kundërshtim me kriteret bazë për përzgjedhjen e zyrave noteriale, konkretisht nenin 8 të Ligjit për Noterinë, por njëherit edhe në kundërshtim edhe me vetë deklarimet tuaja publike, të dhëna në mjetet e informimit publik si edhe para Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet dëmtimi i sistemit noterial, ashtu që rekrutimi i noterëve të rinj do të zhvillohet në 3 faza, dhe në asnjë mënyrë numri total i zyrave të reja të rekrutuara nuk do të jetë më i madh se numri aktual i zyrave noteriale”, thuhet në letrën e tyre.

Sipas tyre, nëse i referohemi nenit 8 paragrafi 3 dhe 4 shihet qartë se çdo komunë duhet të ketë të paktën një zyrë noteriale, ndërsa përjashtimisht, numri i vendeve të noterëve mund të rritet me vendim të ministrit ashtu që për çdo 10000 banorë përcaktohet nga një vend i noterit duke marrë parasysh numrin e dokumenteve që procedohen nga zyrat e noterëve gjatë tërë vitit.

loading…