Oda e Infermierëve në mbështetje të viktimave të dhunës

Oda e infermierëve të Kosovës, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën e grave “Medica Gjakova” e që ka për qëllim të mbështetjes dhe integrimit në gjitha sferat jetësore të grave të mbijetuara nga dhuna.

Një marrëveshje e bashkëpunimit e lidhur mes kryetarit të Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK) Naser Rrustemaj dhe Drejtoreshës Ekzekutive të Shoqatës së Grave “Medica Gjakova” Mirlinda Sada ka për qëllim përmirësimin e gjendjes mendore dhe fizike të grave të mbijetuara nga dhuna si dhe ndikimin mbi politikat sociale në mbështetjen e mirëqenies së grave dhe integrimin e tyre.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Naser Rrustemaj ka thënë se në përgjithësi marrëveshja synon mbështetjen e realizimit të një projekti që synon forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike për gra dhe vajza të mbijetuara të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Projekti do të implementohet në dy komuna, në atë të Gjakovës dhe të Prizrenit.
Ndërkohë, në marrëveshje specifikohet se në këtë projekt do të përfshihen rreth pesëmbëdhjetë qendra të Mjekësisë Familjare në Gjakovë dhe Prizren si dhe spitalet e përgjithshme të Gjakovës dhe Prizrenit.

Kështu, OIK ka marrë obligim që të përkrahë në implemetimin e projektit “Përmirësimi i shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor ndaj traumave për gra dhe vajza te mbijetuara të dhunës në baza gjinore dhe të dhunes seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga dy palët, OIK do të bëjë përzgjedhjen e inferimerëve për përfshirje në këtë projekt nga radhët e Kuvendit të Odës së Infermierëve të Kosovës.