OBSH: Epidemia e koronavirusit në pikën vendimtare

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) vlerësoi sot se epidemia e koronavirusit ka arritur në një “pikë vendimtare” dhe u bëri thirrje vendeve të veprojnë “me shpejtësi” për të frenuar virusin shumë të rrezikshëm.

“Ne jemi në një kohë vendimtare. Nëse veproni në mënyrë agresive tani mund ta kufizoni këtë koronavirus. Këshillat e mia janë të veproni shpejt, “tha Tedros Adhanom Gebrejesus në një konferencë për shtyp.

Një epidemi e zbuluar në dhjetor në Wuhan, Kinë, infektoi më shumë se 78,600 njerëz në këtë vend aziatik, nga të cilët 2.700 vdiqën.

Sidoqoftë, siç tha shefi i OBSH-së, shqetësimi më i madh i organizatës tani është ajo që po ndodh në pjesën tjetër të botës, me më shumë se 3,470 raste të infektuara në 44 vende.

Ai tha se në dy ditët e fundit, numri i përditshëm i të infektuar me virus në botë është m i lartë se numri i regjistruar në Kinë.

Për më tepër, në 24 orët e fundit, shtatë vende, përfshirë Brazilin dhe Norvegjinë, kanë regjistruar rastet e tyre të para të infeksionit.

Në një situatë të tillë, shefi i OBSH-së u bën thirrje vendeve të veprojnë shpejt, të përgatiten për t’u marrë me epideminë, edhe pse nuk kanë raste të infektuara.

Përhapjet në Iran, Itali dhe Koreja e Jugut tregojnë se çfarë mund të bëjë virusi, tha ai, duke shtuar se ato vende kanë “grupime” të pneumonisë virale.

Në të njëjtën kohë, ai shtoi se disa vende nuk kishin regjistruar një rast të vetëm për më shumë se dy javë, të tilla si Belgjika, Kamboxhia, India, Rusia dhe Vietnami.

“Secila prej këtyre vendeve është e ndryshme, dhe secila tregon se masat agresive dhe të hershme mund të parandalojnë transmetimin përpara se virusi të bëhet i fortë,” tha Gebrejesus.