Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ka një harmoni mes ngjarjeve në skenën e brendshme politike serbe dhe asaj që po bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që mund të shkaktojë sërish incidente në veri të Kosovës.
“Sigurisht, ata do të përpiqen të shkaktojnë disa incidente të reja, të përshkallëzohen. Dhe pastaj të përpiqen të de-përshkallëzojnë. Dhe kështu ne rrotullohemi në rreth dhe se ata vazhdimisht akuzojnë Beogradin për pengim. Mendoj se duhet të jetë e qartë për të gjithë se Beogradi është faktori konstruktiv në gjithë këtë”, tha Daçiq, transmeton Ballkani.info.
Sipas tij, Kurti refuzon të zbatojë atë që Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar më shumë se dhjetë vjet më parë, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e Bashkimit Evropian (BE).
Bashkimi Evropian me mbështetjen e SHBA-së është ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, aktualisht në tavolinë është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilën presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Kurti arritën marrëveshje më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa në Ohër më 18 mars pranuan aneksin e asaj marrëveshjeje, që në fakt është plani i zbatimit i marrëveshjes së shkurtit. Edhe pse anëtarët e BE-së pretendojnë se është arritur një marrëveshje për të dyja këto dokumente, asnjëra nuk është nënshkruar sepse presidenti serb refuzon ta bëjë këtë.
“Serbia nuk do të heqë dorë nga interesat e saj kombëtare. Ne nuk jemi të gatshëm për shantazh dhe futjen e temave të reja në dialog. Këto protesta po bëhen për të dobësuar pozitën e Serbisë, por nuk heqim dorë nga politika jonë shtetërore”, ka theksuar Daçiq gjatë një paraqitje të ftuar në TV Prva.
Daçiq parashikon se në shkurt do të ketë presione të reja ndaj Serbisë sa i përket situatës në Kosovë dhe beson se do të ishte mirë që Serbia ta përballonte atë periudhë me shumicë politike në të gjitha nivelet.
Serbia po përballet me pakënaqësitë e një pjese të qytetarëve të mbledhur rreth koalicionit opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës”, i cili organizon protesta në Beograd dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve sepse dyshojnë në rregullsinë e tyre.
Në dy ditët e fundit, koalicionit të qendrës së majtë iu bashkua një pjesë e opozitës së djathtë konservatore-kombëtare, përkatësisht Lëvizja Dveri dhe Partia e Re Demokratike e Serbisë, dhe kërkesat e opozitës mbështeten edhe nga grupe joformal siç është ai “Studentët kundër dhunës”, i cili bllokoi dy herë këtë javë Ministrinë e Administratës Shtetërore dhe Pushtetit Vendore që kërkojnë një pasqyrë të listës së zgjedhësve për shkak të dyshimeve për mijëra votues të regjistruar të ashtuquajtur fantazmë.
Po ashtu, bartësja e listës “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiq, është në grevë urie për të 11-tën ditë dhe thekson se vendimi i saj për grevë nuk ka për qëllim institucionet e vendit por komunitetin ndërkombëtar. /Ballkani.info







