Nushi për pesë pikat e Kurtit: Kushte para tërheqje

Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate, thotë se është i bindur që kryeministri, Albin Kurti, do të tërhiqet, sa i përket situatës në komunat veriore.

Madje sipas tij, Kurti nuk është duke përmbushur asnjë nga obligimet karshi Bashkësisë Ndërkombëtare.

Ai duke folur për pesë pikat që kryeministri Kurti ka propozuar për zgjidhjen e situatës në veri ka thënë se janë kushte para tërheqjes. Sipas tij kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën.

“Kurti gjithmonë para tërheqjeve, vendos kushte. Këto nuk janë kushtet e vetme. Unë besoj që Kurti do të tërhiqet. Tërheqjen nuk e di konkretisht se si do ta bëjë, por që ka tërheqje jam i bindur, sepse përndryshe do të ketë izolim për Kurtin dhe Kosovën. Kurtit i intereson shumë karrika e tij e pushtetit, e të cilën nuk po e lëshon. Problemi këtu është që ai tashmë veç i ka pranuar obligimet karshi Bashkësisë Ndërkombëtare, e që të cilat po i bishtnon. Nuk është ideja që po e mashtron vetëm qytetarin, është ideja që po e mashtron edhe Bashkësinë Ndërkombëtare”, deklaroi Nushi në emisionin “Infonata”.

Kujtojmë që Kurti i ka bërë Bashkimit Europian një propozim të përbërë prej 5 pikash, sipas tij, me qëllim për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.

Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.

Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpall zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.

Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.