9 dhjetor 2017

Një vit nga mesazhi fyes i Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit që çoi në ndarjen e VV-së

“A e arrestuan atë m***”. Ky mesazh në viber, respektivisht në grupin e krijuar të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, i dërguar nga Aida Dërguti shënoi fillimin e fundit të kompaktësisë në këtë parti dhe ndarjes përfundimtare.

Mesazhi u publikuar në mediat pikërisht një vit më parë dhe nxorri në publik ndasitë e thella që ekzistonin në Lëvizjen Vetëvendosje.

Dërguti me mesazhin fyes i ishte drejtuar Albin Kurtit, aso kohe vetëm anëtarë i thjeshtë i partisë e sot kryetar i zgjedhur.

Në bazë letrave të shkëmbyera mes zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes, përplasje e madhe kishte ndodhur në Vetëvendosje për shkak të fyerjes që i kishte bërë deputetja Aida Dërguti, Albin Kurtit, raporton Ballkani.info.

Në bisedën në viber ku ishte dhënë lajmi se është arrestuar Donika Kadaj, deputetja Dërguti kishte pyetur nëse është arrestuar Albini, duke thënë “E atë mutin?”.

Paraprakisht, në publik dolën edhe disa letra të shkëmbyera mes Visar Ymerit dhe Boiken Abazit e Xhelal Sveçlës, ku këta të fundit ankoheshin dhe e quanin të papranueshme fyerjen që Aida Dërguti i kishte bërë para deputetëve të tjerë, Albin Kurtit.

Nga kjo kohë e deri në shkëputjen përfundimtare të grupit prej 13 deputetëve të udhëhequr nga Shpend Ahmeti, pati akuza dhe kundërakuza të rënda. U tentua në disa formate që të tejkalohen ndasitë, mirëpo çarja ishte e thellë dhe kthim më nuk kishte.

Gjatë kësaj kohe në rrjetet sociale pati sulme histerike ndaj të pakënaqurve brenda VV-së. Aktivistë të Vetëvendosje iu vërselun në forma të ashpra sidomos Aida Dërgutit dhe Dardan Molliqaj.

Publiku i gjerë, nga këto përplasje, kuptoi edhe shumë skandale që kishin ndodhur brenda VV-së. U fol për diktaturë të madhe përbrenda subjektit, pastaj u tha se kishte edhe ngacmime seksuale, përndjekje e kontrolle.

Dorëheqjet e para nisën në fillim të janarit, kur ish kryetari Visar Ymeri doli i pari nga Lëvizja Vetëvendosje. Më pas edhe 12 deputetë të tjerë dhe aktivistë.

Nga grupi prej 13 deputetëve të larguar nga VV-ja, Donika Kadaj nuk vazhdoi në partinë e re, në PSD. Ajo u rikthye në folenë e vjetër, në AAK.

Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ferkimet ndërmjet anëtarëve të VV-së dhe atyre të PSD-së. /Ballkani.info/