Sot janë bërë një vit që nga ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.

Ngjarjet ishin përcjellur me protesta, gaz lotsjellës dhe bllokim të seancave të Kuvendit, gjë që kishte vendosur parlamentin kosovar në ballinat e mediumeve botërore, shkruan Ballkani.info.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kishte deklaruar gjithnjë se votimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ishte kushti i fundit i BE-së ndaj Kosovës për të fituar liberalizimin e vizave.

Pas ratifikimit të marrëveshjes, Mogherini e kishte përshëndetur ngjarjen përmes një njoftimi në rrjetin social Tëitter.

“Lajme të mira nga Prishtina: Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosova është drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e saj”, kishte shkruar Mogherini.

Por, një vit pas këtij postimi dhe premtimeve të panumërta nga zyrtarët evropian, Kosova ende mbetet shteti më i izoluar në Ballkan, i cili nuk ka të drejtën e lëvizjes së lirë. /Ballkani.info/