“Një përmbledhje e transformimeve joparimore të Albin Kurtit dhe VV-së”

Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi ka bërë një përmbledhje që sipas tij përbënë transformimet joparimore të Albin Kurtit dhe VV-së.

Lista është e gjatë, fillon me fjalët e kryeministrit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë e mbaron me qëndrimin që pati ai dikur për Zajednicën, përcjellë Ballkani.info.

Kjo është lista e Krasniqit me transformimet joparimore të Albin Kurtit, sipas tij:

Një përmbledhje e transformimeve joparimore të Albin Kurtit dhe VV-së:

– Nga bashkimi me Shqipërinë, kaloi tek “nuk mund ta ndërrojmë kushtetutën, për t’u bashkuar me Shqipërinë”,

– Nga “xhipat dhe truprojat i përdorin vetëm politikanët e korruptuar që kanë arsye të frikësohen nga populli”, tek mos-zhdrypja nga xhipat me xhama të zi e mos-ndarja nga truprojat,

– Nga jetesa në një banesë me qira 60m2, tek jetesa në një shtëpi 500m2,

– Nga “ne jemi kundër privilegjeve që t’i jep pushteti” tek përdorimi i privilegjit për tu vaksinuar i pari, pa rend dhe pa nevojë,

– Nga “në qeverinë time nuk do të ketë ministra me aktakuza”, tek emërimi i Liburn Aliut dhe mos-shkarkimi i tij edhe pasi iu publikua aktakuza,

– Nga “në politikë duhet të varfërohemi e jo të pasurohemi” tek rritja e pasurisë gjatë viteve të fundit e pothuajse secilit deputet e ministër të VV-së, duke përfshirë vetë Albin Kurtin,

– Nga “dialogu është prioriteti i 7-të”, tek diskutimi për dialogun në ditën e parë të qeverisjes së tij,

– Nga “të pagjeturit, dëmet e luftës e kërkimfalja, janë KUSHTE për të filluar negociatat me Serbinë” tek “ne do t’i diskutojmë këto tema në negociata”,

– Nga tatimi progresiv që rritë barazinë duke marrë më shumë nga ata që kanë më shumë, për t’ju dhënë më shumë atyre që kanë më pak, tek “ne do të ndihmojmë bizneset” dhe tek mos-vendosja e asnjë takse për oligarkët,

– Nga “Zajednica nuk kalon”, tek dërgimi i sinjaleve të qarta tek BE-ja që do ta mbështesë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Transformimi i Albin Kurtit në të kundërtën e asaj që e predikonte vetë dikur, mund të mos përbëjë problem në vetëvete. Të gjithë transformohen e ndryshojnë. Por arsyetimi i vazhdueshëm i këtij transformimi, pa e pranuar asnjëherë që është transformim, është i frikshëm. Sepse nënkupton që Albin Kurtit i lejohet gjithçka: edhe të gënjejë, edhe t’i ndërrojë fjalët, parimet e konceptet.

Kjo ka ndodhur me të gjitha pushtetet populiste me tendenca autoritare. Kjo po ndodhë edhe në Kosovë. E asgjë s’spo ndodhë, çka do të ndodhë më tutje.