Presidenti

Një ditë pas ushtrisë, Thaçi nis homazhet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Ai ka deklaruar se në këtë ditë të parë, pas transformimit të FSK-së në ushtri ka zgjedhur që këto homazhe t’i bëjë për ata që janë më meritorët për këtë fakt.

Thaçi tha se vizitat në varrezat e dëshmorëve po bëhen për të nderuar dhe respektuar ata.

“Sot është dita e parë e funksionimit të ushtrisë së Kosovës, dje ka qenë momenti historik, vendimi historik, por edhe krejt normal dhe i zakonshëm për një vend të pavarur. Punë më e mbarë sot është nderimi dhe respekti i bashkëluftëtarëve, luftëtarëve të lirisë, komandantit prej të parëve, Zahir Pajazitit. Lufta dhe përpjekja e dëshmorëve dhe amaneti i tyre po jetësohet”, tha ai.

Thaçi pas nderimit të heroit Zahir Pajaziti, ka vazhduar me homazhe tek varri i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova e më pas tek varri i veprimtarit Adem Demaqit, heroit Ilir Konushefci dhe dëshmorit Hazir Malaj. Atje presidenti Thaçi nuk është deklaruar për medie.