Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Kryesia e Kuvendit është duke e mbajtur mbledhjen e radhës ku do të diskutohet mbi pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, në mesin e të cilave është edhe ajo për rimëkëmbje ekonomike që deri më tash nuk ka pasur vota për të kaluar në Kuvend.

Në rendin e ditës do të jenë pikat e papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25 dhe 28 shtator: votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun.

Po ashtu do të jetë edhe votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e COVID-19.

Kryesia e Kuvendit pritet të caktojë edhe seancën e re plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, Pjesa e dytë Objektivi 1, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Itali për transferimin e personave të dënuar, Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për deminim humanitar, Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për automjete.

Pas mbledhjes, kryeparlamentrja Vjosa Osmani është bërë e ditur se do të flasë para mediave.