Deputetët

Ngritja e kapaciteteve për të luftuar kancerin, e domosdoshme

Numri i personave të prekur me kancer në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje, prandaj nevoja për ngritje të kapaciteteve ekzistuese në klinikat ku trajtohen këta pacientë është e domosdoshme.

Përpilimi i listave esenciale të barnave, aparatura e nevojshme dhe rritja e hapësirave është nevojë e domosdoshme për këto spitale. Kështu u tha në tryezën mbi fuqizimin e kapaciteteve në mbështetje të pacientëve të prekur nga kanceri me moton “Ne do luftojmë krah jush” e organizuar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku dhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, u shpreh se rëndësia për vetëdijesimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje tregohet më së miri përmes shifrave ku vetëm në nëntë muajt e fundit janë shënuar 247 raste të reja me kancer.

Sipas saj, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për trajtim të kancerit duhet të rritet buxhetit për shërbime shëndetësore, si dhe të pacientët e prekur nga kjo sëmundje të marrin pagën e tyre. Kollçaku tha se në Klinikën e Onkologjisë ka nevojë për aparaturë dhe rritjen e kapaciteteve ekzistuese, pasi që hapësirat janë të pamjaftueshme.

Kurse, iniciuesi tjetër i kësaj tryeze nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli tha se duhet të përkrahen hallkat e luftës kundër kancerit duke filluar nga politikat e parandalimit deri në eliminimin e faktorit të rritjes së kësaj sëmundje.

Sipas tij sistemi jonë shëndetësor është duke ngecur për shkak të financimit të ulët. Ai shtoi se spitalet po përballen me kapacitet të vogla çoftë në hapësira, çoftë në barna, kostoja e të cilave është e lartë.Sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë pranë QKUK-së, Ekrem Hyseni numri i të prekurve me kancer në Kosovë nga viti 2013 e deri në vitin 2017 ka shënuar rritje të shpejtë, dhe një progres i kësaj sëmundje pritet edhe në vitet e ardhshme.

Sipas tij kjo klinikë brenda ditës ofron 100 deri në 200 shërbime në ditë për terapi të aplikuar, kurse në Klinikë, sipas tij për momentin funksionojnë dy aparatura dhe brenda ditës i shërbejnë 80 deri në 100 pacientë. Hyseni tha se me shtimin e rasteve të zbuluara do ketë nevojë për shtim të kapaciteteve të cilat disa nga to janë shtimi i aparaturave në kimioterapi ku për momentin janë vetëm dy aparatura dhe janë të mbingarkuara, aparatura për përgatitjen e citostatikëve, mundësia për pushim mjekësor dhe vazhdimi i pagesës përgjatë trajtimit të pacientit në kimioterapi dhe përpilimi i listës esenciale. Nafije Latifi nga shoqata kosovare për luftën kundër kancerit të gjirit “Jeta/Vita” u shpreh se ka mungesë të informimit dhe shërbimeve shëndetësore për pacientët e prekur nga kanceri.

Latifi e cila është njëra nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit tha se mungesa e mamografisë në shumë qendra mjekësore po e pamundëson që të diagnostikohet kanceri në fazat e hershme. Latifi tha se në klinika ka nevojë edhe për pajisjeve mbrojtëse nga rrezatimet , ku për shkak të tyre pastaj gratë po kanë probleme tjera si rënia e flokëve.

Ndryshe, muaji tetor njihet si muaj i dedikuar për vetëdijesimin, paralajmërimin e rritjes dhe edukimin e individëve për kancer të gjirit. E për këtë qëllim klinika e Radiologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke mbajtur fushatën e kryerjes së mamografisë pa pagesë nga data 1 deri më 31 tetor. /KP