Nga humbja e oreksit tek të dridhurat: Studimi zbulon katër simptomat e reja që mund të shkaktohen nga Covid

Një studim i fundit në Britani ka zbuluar katër simptoma të reja të cilat mund të kenë lidhje me coronavirusin.

Aktualisht NHS britanike ka futur në listën zyrtare të simptomave humbjen e nuhatjes dhe shijes, kollën e vazhdueshme dhe temperaturën. Por këto katër simptoma: Të dridhurat, humbja e oreksit, dhimbja e kokës dhe dhimbja e muskujve mund të përfshihen së shpejti.

Për të arritur këtë konkluzion janë testuar më shumë se një milion njerëz në Britani. Studimi bazohet në testet e Covid dhe pyetësorët nga React i Imperial College London, i kryer midis qershorit 2020 dhe janarit 2021.

Sipas studimit, simptomat e reja nuk janë ato klasike por që me shumë gjasë lidhen me infektimin me Covid-19. Dhe sa më shumë simptoma të tilla që shfaqnin njerëzit, aq më shumë kishte të ngjarë që ata pas testit të dilnin pozitivë. Shkencëtarët kanë frikë se këto simptoma shtesë mund të nënkuptojnë që njerëzit nuk testohen mjaftueshëm ose nuk izolohen, sepse nuk i njohin ato si shenja të mundshme të coronavirusit.

Studimi zbuloi gjithashtu se rreth 60% e njerëzve të infektuar nuk raportonin çdo simptomë. Duket gjithashtu se ka një ndryshim në simptomat me moshën.

Dridhjet ishin të lidhura në të gjitha moshat, por dhimbjet e kokës u raportuan më shumë tek adoleshentët dhe humbja e oreksit tek njerëz mbi 18 vjeç. Dhimbjet e muskujve u raportuan më së shumti tek njerëzit e moshës midis 18 dhe 54 vjeç.