Benjamin Netanyahu

Netanyahu e kundërshton publikisht thirrjen e SHBA-së për formimin e shtetit palestinez

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se u ka treguar Shteteve të Bashkuara që e kundërshton formimin e një shteti palestinez pas përfundimit të konfliktit në Gaza.

Në një konferencë për gazetarë, Netanyahu u zotua për vazhdimin e ofensivës në Gaza “deri në fitore të plotë”, që nënkupton shkatërrim të Hamasit dhe kthim të pengjeve që po mbahen ende nga ky grup. Ai shtoi se ofensiva mund të zgjasë “shumë muaj të tjerë”, raporton televizioni BBC.

Gjatë konferencës për shtyp, Netanyahu tha se Izraeli duhet ta ketë kontrollin e sigurisë gjatë tërë pjesës perëndimore të Lumit Jordan, që mund ta përfshijë territorin e ndonjë shteti të ardhshëm palestinez.

“Ky është një kusht i nevojshëm dhe bie në konflikt me idenë e sovranitetit [palestinez]. Çfarë të bëhet? Unë ua them të vërtetën miqve tanë amerikanë dhe unë gjithashtu e ndala përpjekjen për të imponuar një realitet ndaj nesh që do ta dëmtonte sigurinë e Izraelit”- shtoi ai.

Aleatët e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, si dhe shumë prej armiqve të tij kanë bërë thirrje për rikthimin e idesë së vjetër – zgjidhjen me dy shtete.

Shpresa në shumë qarqe është që kriza e tanishme mund t’i detyrojë palët e konfliktit që t’i kthehen diplomacisë si alternativë e vetme e mundshme ndaj valëve të pafundme të dhunës. Megjithatë, nga komentet e Netanyahut duket se qëllimi i tij është goxha i kundërt.

Netanyahu ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij politike duke e kundërshtuar shtetësinë palestineze. Muajin e kaluar, ai tha se ishte krenar që e kishte parandaluar formimin e një shteti palestinez, prandaj komentet e reja të tij nuk janë befasi.

Sidoqoftë, kundërshtimi publik i përpjekjeve të Uashingtonit dhe vendosmëria për të qëndruar në rrjedhën e tanishme ushtarake e shfaqin zgjerimin e hendekut mes Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë.

Shtëpia e Bardhë vazhdimisht është munduar që të ndikojë në politikën ushtarake të Izraelit, duke bërë thirrje për përdorim të armëve më të sakta e jo sulmeve të gjera ajrore dhe duke bërë thirrje për zgjidhje me dy shtete.

Megjithatë, këshillat e Uashingtonit shpesh kanë rënë në veshë të shurdhër ose kanë marrë kundërshtim të hapur – shpesh publikisht, si gjatë vizitave të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

VIDEO BONUS: Avokati serb njoftohet me armën e Adem Jasharit, me të cilën u bëri rezistencë forcave serbe