Nëser mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës

Nesër do të organizohet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Sipas MAShTI-it, në këtë afat të drejtë testimi kanë 5 mijë e 84 ndërsa ky proces do të mbikëqyret nga 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore si dhe 600 administrues.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 12 maturantë”.

“MAShTI, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI”, thuhet në njoftimin e ministrisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se ashtu edhe si herave të tjera, edhe në këtë afat është e ndaluar rreptësisht mbajtja e telefonit, teksa u paralajmërua se kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi.

Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 7 shtator.