Nëntë Zona Ekonomike në gjithë Kosovën, shumica e tyre jofunksionale

Vendimet që mori Qeveria e Kosovës ndër vite për krijimin e Zonave Ekonomike në disa prej komunave të vendit, duket se kanë mbetur vetëm në letër. Pothuajse asnjë prej nga këto zona nuk ka arritur të funksionalizohet tërësisht. Në Ministrinë e Tregtisë thonë se krijimi i këtyre zonave ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve. Ndërkohë, njohës të ekonomisë vlerësojnë se ndikimi i zonave ekonomike nuk është i madh, shkruan Gazeta Express.

Janë gjithsej nëntë Zona Ekonomike në gjithë vendin, por shumë prej tyre nuk janë funksionalizuar ende. Por, edhe sikur të funksionalizoheshin, ndikimi që kanë këto zona nuk është edhe shumë i madh.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se krijimi i krijimi dhe zhvillimi i zonave ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve duke iu ofruar bizneseve infrastrukturë fizike të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste.

Deklarojnë se këto zona ndihmojnë  edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, veçanërisht në hapjen e vendeve te reja te punës dhe krijimin e të ardhurave. Derisa thonë se hapësirat në kuadër të zonave ekonomike, ju jepen bizneseve në shfrytëzim për një periudhë deri në 99 vite.

“Po ashtu në kuadër të zonave ekonomike bëhet edhe përqendrimin e bizneseve në një vend të caktuar dhe promovimi me i lehtë i tyre, zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, qasje më e lehtë e bizneseve në transport, energji elektrike, ujë dhe shërbime tjera”, thuhet në përgjigjet e MTI’së drejtuar Gazetës Express.

Në Ministrinë që udhëhiqet nga Endrit Shala, deklarojnë se me vendime apo pëlqime të MTI’së, janë shpallur nëntë zona ekonomike, respektivisht: Parku i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime, Parku Industrial në Frashër – Mitrovicë, Agro Zona Industriale në Suharekë, Parku Industrial në Lipjan, Parku Industrial në Viti, Parku Industrial në Shirokë të Suharekës si dhe Parku Industrial në Lumadh- Vushtrri.

Por, ndonëse janë gjithsej nëntë zona ekonomike, pak prej tyre kanë arritur të vihen në funskion.

Madje, në shumë prej tyre ende janë në fazën e investimeve për ndërtimin e infrastrukturës fizike, në mënyrë që të vendosen bizneset.

“ Disa prej këtyre zonave ekonomike e kanë të rregulluar infrastrukturën fizike, siç është Parku i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit në Mitrovicë, si dhe Parku Teknologjik në Shtime, ndërsa të disa zona ekonomike janë në fazën e vazhdimit të investimeve në ndërtimin e infrastrukturës fizike në mënyrë që të jetë të gatshëm për vendosje të bizneseve”, thuhet në përgjigjet e MTI’së.

Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se këto zona nuk janë as funksionale.

Kryetari i OEK’ut, Berat Rukiqi i ka thënë Gazetës Express se fillimisht duhet të përfundohen të gjitha procedurat që një zonë ekonomike të jetë funksionale.

Deklaron se këto zona duhet të ndahen nëpër sektorë apo grupe biznesi që resurset që kanë këto zona të shfrytëzohen në mënyrë racionale.

“Fillimisht duhet me e pas një qasje më të strukturuar për zonat ekonomike , ora me i përfundu fillimisht të gjitha procedurat që një zonë ekonomike fillimisht të jetë funksionale. Duhet me pa modele që funksionojnë. Ne e kemi propozuar modelin e zonave ekonomike të Turqisë, si një prej modeleve që këto zona me u menaxhur prej bizneseve edhe kanë dhanë efekt edhe është rrit prodhimi edhe numri i të punësuarve, edhe vlera e eksportit”, thotë Rukiqi.

I pyetur nëse këto zona janë të mjaftueshme, Rukiqi thotë se ato nuk duhet të shihen për nga numri, por se sa janë funksionale.

“Unë mendoj që duhet ta shohim jo për nga numri por sa janë funksionale, dhe me bërë edhe ma shumë. Ne mendojmë që duhet të jetë një plan të qartë të gjitha këto zona të jenë funksionale dhe ta kenë dobinë e vet”, tha Rukiqi.

Krijimi i zonave të lira ekonomike në Kosovë nga përfaqësues të institucioneve të vendit në vazhdimësi ishte theksuar si një përparësi për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.

Por, pavarësisht krijimit të këtyre zonave të lira ekonomike, ekspertët e fushës thonë se Kosova vazhdon të mbetet një nga ekonomitë më të pazhvilluara në rajon me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind dhe më shkallë të lartë të papunësisë mbi 30 për qind.

Ndryshe, Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.