Komë

Nëna habit mjekët, zgjohet nga koma pasi ia vendosin foshnjën në krahë

Një nënë ka habitur mjekët kur u zgjua nga një komë 23-ditëshe në momentin kur djali i saj i porsalindur u vendos në krahët e saj.

Amanda di Silva, 28 vjeçe, që vuan nga epilepsia, pati një krizë në javën e 37’të të shtatzënisë, pas një fjalosjeje me burrin e saj.

Të brengosur se kjo krizë mund të mbyste që të dy, nënën dhe fëmijën, mjekët ia bënë asaj një prerje urgjente cezariane. Por, komplikimet filluan menjëherë, duke detyruar mjekët që ta vendosnin atë në komë për ta stabilizuar – përderisa djali i saj i porsalindur u vendos në kujdes intensiv.

Kaluan javë dhe ajo nuk u zgjua nga koma më. Infermierja Fabiola Sa sugjeroi që ta vendosnin djalin në krahët e saj, veprim ky që bëri që rrahjet e saj të zemrës të shpejtoheshin dhe lotët të rridhnin poshtë fytyrës së saj, transmeton Gazeta Express.

Silva, nga Brazili, nisi ngadalë të përmirësohej dhe 23 ditë pasi qëndroi në komë, ajo ishte në gjendje që bashkë me vogëlushin e saj më në fund të shkonin në shtëpi.

“Nuk kemi ndonjë shpjegim shkencor se çfarë ndodhi, por është e qartë se nuk duhet ta nënvlerësojmë asnjëherë rëndësinë e kontaktit lëkurë-me-lëkurë mes nënës dhe foshnjës”, tha infermierja.