Në Stamboll hapen dy spitale për COVID-19

Dy spitale për pacientët me koronavirus u hapën sot në Stamboll dhe numri i rasteve të reja ka rënë në nivelin më të ulët që nga kulmi i epidemisë.

“Falë Zotit, ne kemi parandaluar përhapjen e pandemisë, madje pa pasur nevojë për kapacitetin shtesë që kemi krijuar këtu”, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ndërsa hapi një spital prej 1.008-krevatësh të ndërtuar në 45 ditë në vendin e ish-aeroportit ‘Ataturk’.

Turqia ka regjistruar 839 raste në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 163.942 pasi që rasti i parë u njoftua më 11 mars.

Në 24 orë, janë regjistruar 25 vdekje të lidhura me virusin korona, gjithsej 4540.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Turqia renditet në vendin e 10 në botë në numrin e rasteve të virusit, megjithëse ekspertët besojnë se shkalla globale e infeksionit mund të ishte shumë më e lartë se sa raportohet.