Në Spitalin e Gjilanit 13 pacientë me COVID19, të gjithë me oksigjenoterapi

Në Spitalin Rajonal të Gjilanit aktualisht janë të hospitalizuar 23 pacientë, prej tyre 13 kanë rezultuar pozitiv me COVID19 dhe përkundër që janë me oksigjenoterapi gjendja e tyre është stabile.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Komiteti Emergjent i Gjilanit për parandalimin e përhapjes dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19, të cilët u takuan për të bërë vlerësimin, pas 27 rasteve të reja pozitive me këtë virus.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli pas këtij takimi, tha se në 95 përqind të rasteve është identifikuar burimi i infeksionit.

Ai tha se gjendja me COVID në këtë komunë është nën kontroll të plotë, por ka kërkuar që të respektohen të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHP.

“Mbi 95 përqind është identifikuar burimi i infeksionit dhe është nën kontroll të plotë nga njerëzit që merren me këtë punë“, tha nënkryetari i Gjilanit.

Epidemilogia Burbuqe Shkodra tha se numri i përgjithshëm i të infektuarve në periudhën katër mujore është 257, derisa tha se janë në pritje të rezultateve të mostrave për regjionin e Gjilanit në datat 8, 9 dhe 10 korrik.

Ajo tha se ditëve të fundit situata është rënduar me shtimin e rasteve të reja, por fatmirësisht, shtoi se gjendja pacientëve që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 është stabile.

Shkodra theksoi se do të testohen vetëm rastet që janë të hospitalizuar dhe ata që kanë shfaqur simptoma.

“Situata po rëndohet por për fat të mirë gjendja shëndetësore e të gjitha rasteve pozitive që i kemi kontaktuar të gjithë është stabile. Ata që janë me simptomatologji më të rëndë janë të hospitalizuar çoftë me repartin infektiv të Spitalit Regjional dhe ata që kanë qenë me gjendje më të rënduar janë dërguar në klinikat e QKUK-së…Për momentin teste ne bëjmë ne vetëm rastet që janë të hospitalizuara dhe rastet që kur vijnë në kontroll janë me simptomatologji të sëmundjes COVID”, theksoi ai.

Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismaili, tha se aktualisht në këtë klinik janë të hospitalizuar 23 pacientë, prej tyre 13 janë me COVID19 dhe janë me oksigjenoterapi.

Sipas tij, kapaciteti e këtij institucioni shëndetësor janë 14 qasje me oksigjenoterapi, dhe 50 shtretër ku mund të hospitalizohen raste eventuale.

“Kapaciteti jonë i spitalit të përgjithshëm është me 14 qasje të oksigjenit dhe i kemi diku mbi 50 shtretër të cilët mund t’i autorizojmë me i marrë në testim. Faktikisht gjendja momentale deri në këtë moment kur po flasim i kemi 23 pacientë të hospitalizuar prej tyre janë 13 që janë të konfirmuar me COVID19, dhe gjendja e tyre është e mirë janë me oksigjenoterpai dhe megjithatë është stabile 10 të tjerë janë në proces të testimit me COVID19”, theksoi ai.