Në Ferizaj hapet Qendra e Kujdesit për Fëmijët e Margjinalizuar

Në Ferizaj është hapur Qendra e Kujdesit Ditor për Fëmijët e Margjinalizuar dhe ata që nuk e kanë një kujdes të duhur familjar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi tha se ky projekt me vlera humane meriton të përkrahet në mënyrën më të mirë dhe mbështetja do të vazhdojë edhe më tutje.

Flutura Nuha, koordinatore në këtë qendër tha se në këtë formë është menduar që këtu të gjejnë kujdesin e nevojshëm për rreth 35 fëmijët të moshave nga 6 e deri në 15 vjeç që deri më tani nuk e kanë pasur kujdesin e duhur në shoqëri. Projekti i qendrës ditore për një kujdes më të mirë të fëmijëve me nevoja më të veçantë është një bashkëpunim në mes organizatës në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Komunës së Ferizajt dhe organizatës gjermane GIZ .

Kurse donatorët nga organizata gjermane GIZ thanë se për disa muaj do të vazhdojnë ta përkrahin funksionimin e qendrës , ndërsa nuk do të mungojnë edhe projektet e natyrave të tjera.

Në qendrën e hapur sot rastet e fëmijëve në nevojë mund të referohen nga qendra për punë sociale , shkollat dhe organizata joqeveritare ndërsa në atë do të punojnë punëtorë social , pedagogë dhe psikolog.

Psikologja e qendrës, Qamile Stublla thotë se përmes seancave grupore e individuale pret që fëmijët e margjinalizuar të jenë më mirë trajtuar.

Qendra për kujdesin ditor të fëmijëve të grupmoshave të ndryshme të cilët kanë nevoja shkollore, sociale e të një kujdesi më të mirë familjar është qendra e parë e cila si e tillë është hapur në Kosovë.

Ndërsa ajo pritet të vazhdojë të funksionojë në bazë të përkrahjes që do t’i ofrojë Komuna e Ferizajt dhe organizatat e tjera joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve.